Karta e fshehur në garë është Johnsoni, i cili ende ka përkrahjen e partisë si fitues me përvojë, përkundër skandaleve gjatë tre vjetëve në krye të Britanisë. Aleatja e Johnsonit, Nadine Dorries, ka thënë se partia duhet ta zgjedhë atë sepse është “fitues i njohur”, i cili i priu konservatorëve në fitoren e madhe të vitit 2019.
Disa deputetë britanikë, përfshirë ish-kryeministrin Boris Johnson, kanë nisur ta sigurojnë përkrahjen për garën e shkurtër të zgjedhjes së pasardhësit të Liz Trussit në krye të vendit. Truss ka dhënë dorëheqje të enjten pas 45 ditëve në postin e kryeministres.
Partia Konservatore do t’i mbajë zgjedhjet e përshpejtuara për ta zëvendësuar atë. Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt janë në mesin e favoritëve, por të premten mbrëma, Johnsonit i është forcuar pozita në këtë garë kur disa konservatorë u shprehën për kthimin e tij në postin e kryeministrit. Johnsoni, i cili pas dorëheqjes ka mbetur deputet, nuk ka përjashtuar mundësinë për pjesëmarrje në garë, mirëpo aleatët e tij kanë nisur të punojnë në Parlament për kthimin e tij.
Nominimet për liderin e ri do të mbyllen të hënën pasdite, ndërkaq kandidatëve u duhen 100 nga 357 nënshkrimet e ligjvënësve konservatorë. Ata do të votojnë për eliminimin e njërit prej tre kandidatëve. 172 mijë anëtarët e partisë pastaj do të vendosin mes dy finalistëve në votimet online. Lideri i ri do të zgjidhet më 28 tetor.
Sunak, i cili doli i dyti pas Trussit në garën verore, është favorizuar nga disa ligjvënës dhe cilësohet si njeriu i sigurt për ta këndellur ekonominë britanike. Ndërkaq, Mordaunt, e cila doli e treta në garën e verës, është fort e popullarizuar në bazën e partisë. Mordaunt, të premten, ishte e para që konfirmoi pjesëmarrjen në garën për të parin e partisë.
Por karta e fshehur në garë është Johnsoni, i cili ende ka përkrahjen e partisë si fitues me përvojë, përkundër skandaleve gjatë tre vjetëve në krye të Britanisë.
Aleatja e Johnsonit, Nadine Dorries, ka thënë se partia duhet ta zgjedhë atë sepse është “fitues i njohur”, i cili i priu konservatorëve në fitoren e madhe të vitit 2019.
“Të kesh fitues është ajo çfarë i duhet partisë për të mbijetuar”, ka thënë ajo.
Mirëpo disa ligjvënës konservatorë kanë thënë se do ta braktisin partinë nëse Johnsoni kthehet si lider.
Gara partiake është e dyta sivjet dhe do të organizohet pas dorëheqjes së Trussit, e cila është bërë kryeministrja që shërbeu më së paku në historinë britanike. Ajo u zgjodh lidere e partisë duke e zëvendësuar Johnsonin.
Pakoja e Trussit për treg të lirë ekonomik lëkundi tregjet financiare dhe shtoi koston shtetërore, duke detyruar intervenimin e Bankës së Anglisë.
Të enjten, Trussi e ka pranuar se “më nuk mund ta mbaj mandatin për të cilin jam zgjedhur nga partia konservatore”.
Lideri i ri do të bëhet kryeministri i tretë britanik për këtë vit, ndërkaq kriza në partinë konservatore ka nxitur kërkesën për zgjedhje të reja. Nën sistemin parlamentar zgjedhjet nuk mund të mbahen deri në vitin 2024.
Opozita britanike ka thënë se cilësdo qeveri i mungon legjitimiteti demokratik. Sondazhet e fundit kanë treguar se Partia Laburiste ka gjasa të mëdha për ta fituar shumicën në Parlament.