Anthony Joshua është zotuar të rizbulojë anën e tij agresive të boksit kur të përballet me Oleksandr Usykun në revanshin e së shtunës. Madje, boksieri britanik ka premtuar se do ta “thyejë” kundërshtarin e tij.
“Në çdo meç futem me dëshirën për ta thyer kundërshtarin, cilido qoftë ai. Kështu që, të shtunën do ta godas fort Usykun për të treguar anën time agresive në boks. Jam i gatshëm për ta dëshmuar veten edhe një herë si kampion i vërtetë”, ka paralajmëruar Joshua. “Në mendje e kam fitoren dhe me këtë vullnet me padurim pres të futem në ring”.
Joshua thotë se vetëm nëpërmjet agresivitetit në ring mund të kthehet te suksesi. Britaniku pranon se një qasje e mbushur me veprime shkatërruese kishte qenë çelësi për suksesin e hershëm në karrierën e tij. Tani, insiston se ka më shumë përvojë dhe duhet patjetër ta dëshmojë ndaj Usykut.
“Unë kam qenë amator për tre vjet e gjysmë dhe kam bërë shumë në atë kohë, jo për shkak të aftësisë, por falë agresivitetit që e kam treguar. Kështu që, të shtunën edhe koha e duhur për ta rizbuluar agresivitetin e mëparshëm, me të cilin kam mposhtur kundërshtarë që kishin përvojë shumë më të madhe se unë”, ka reflektuar Joshua. “Ky vullnet ishte diçka që nuk mund të mohohej. Më pas, me kalimin e kohës kam marrë më shumë përvojë dhe jam zhvilluar si një boksier i vërtetë profesionist. “Agresiviteti ishte faktori kryesor që më ngriti dhe tani do të jetë vendimtar në meçin tim ndaj Usykut, të cilin jam përgatitur ta fitoj me çdo kusht”.
Madje, britaniku insiston se edhe Usyku do të mbetet i befasuar me mënyrën se si do të boksojë të shtunën. Sipas tij, Usyku do ta ketë në ring Joshuan e vjetër, i cili ka shkatërruar secilin kundërshtar që i ka dalë përballë.
“Në fakt, agresiviteti im nuk kishte humbur kurrë, por unë thjesht mundohesha të përmirësohem në gjëra tjera. Isha i fokusuar në gjëra të ndryshme në karrierën time, se si ta kem një goditje më të mirë apo si të lëvizi në ring. Pikërisht, kjo më ka kushtuar shumë, por tani nuk më intereson boksi i mirë”, u shpreh Joshua. “Do të futem me shpirtin konkurrues dhe do ta fitoj meçin. Nuk më intereson se sa të mira i ka goditjet Usyku apo se sa i mirë është. Me vullnetin dhe agresivitetin tim, do t’i tejkaloj të gjitha dhe në fund do të shpallem fitues. Vetëm kjo qasje mund të më kthejë në majë të boksit”.
Kundër Usykut këtë herë, Joshua premton të kthehet për hakmarrje. Triumfi në këtë revansh, do të bënte që Joshua të rikuperonte brezat në WBO, WBA dhe IBF, të cilët i humbi ndaj Usykut në muajin shtator të vitit të shkuar. Megjithatë, edhe nëse i kthen këta breza, Joshua nuk do ta konsideronte veten si boksierin më të mirë në botë të kategorisë së rëndë, jo pa luftuar edhe me Tyson Furyn. E nëse e mposht Usykun, Joshua ka në mendje edhe një meç me Furyn që të konfirmohet si më i miri.
“Përderisa nuk është 100 për qind në pension, duhet ta mposhti edhe Furyn për të qenë më i miri. Kjo nuk ka të bëjë me Furyn, me gjithë respektin e duhur. Kjo është vetëm pikëpamja ime për t’u konsideruar më i miri. Nëse e mposhti Usykun, gjë që edhe do ta bëjë, do të jem vetëm një fitues pasi gjithmonë ka një sfidë tjetër që të pret”, shtoi Joshua. “Derisa të tërhiqesh, gjithmonë do të sfidohesh për të provuar se je më i miri në botë. Në momentin kur thua se je më i miri, është momenti kur duhet të bëhesh gati për duelin e radhës. Mendoj, se kjo është e mjaftueshme për situatën e Tyson Furyt, të cilin do ta sfidoj”.