Kryeakademikja Justina Pula është emri i cili ka mbështetjen më të madhe në diskutimet për presidente konsensuale, brenda Partisë Demokratike të Kosovës, siç ka mësuar KOHA brenda këtij subjekti.
Deputetët e PDK-së pritet të mblidhen me fillim prej orës 14:00 të mërkurën, për të diskutuar pikërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Deri tash nuk ka një emër që zyrtarisht ka marrë nënshkrimet për të qenë kandidat për president. PDK-ja nuk ka pranuar të flasë publikisht për emra të përveçëm.
Ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se oferta e tyre e fundit për një dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit është që emri për president të propozohet nga PDK-ja, e të marrë mbështetjen edhe të VV-së. Ai pati thënë se emri nuk do të jetë partiak.
Hamza e Kurti janë takuar dy herë deri tash. Nga takimet nuk ka pasur rezultate konkrete për ndonjë kandidat konsensual. Të shtunën, oferta e Hamzës u interpretua nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si “hapje e garës” për president. Megjithatë, kjo u mohua nga Hamza që u shpreh se “po që se ka garë, dihet rezultati” duke aluduar në numrat në Kuvend. Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Pula u takua ditë më parë me kryeministrin Kurti. Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit u bë e ditur se të dy e kanë uruar njëri-tjetrin për postet përkatëse dhe se kanë diskutuar për progresin e sfidat në vend.
Më 20 dhjetor 2025, Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pula ka qenë deputete e PDK-së (2011-2014) dhe Ministre e Energjisë dhe Minierave (2008-2011).
Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
