Kryediplomatja, Donika Gërvalla duke mos e përmendur UÇK-në nuk e ofendon vetëm këtë organizatë, por edhe veten, ka qenë vlerësimi i analistit politik, Jusuf Thaçit.
Thaçi përmes një postimi në Facebook, të martën – e ka kritikuar ministren e jashtme për “mohimin” e UÇK-së.
“Kur Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës uron Ditën e Çlirimit të Kosovës duke mos e përmendur fare UÇK-në, përkatësisht duke e mohuar UÇK-në, ajo nuk e ofendon UÇK-në, por e ofendon veten dhe gjithë atë që ajo përfaqëson si qytetare e si zyrtare shtetërore, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, Thaçi ka shkruar një mori vlerësimesh për UÇK-në, duke e cilësuar si shkaktarja e meritorja kryesore për lirinë e Kosovës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është ndër momentet më të shndritshme të gjithë historisë shqiptare, duke e rikthyer pas dekadash dinjitetin e humbur e të nëpërkëmbur të shqiptarëve të Kosovës”, ka vazhduar Thaçi.
Ai gjithashtu ka thënë se ata që e urrëjnë, relativizojnë e mohojnë UÇK-në – këtë betejë e kanë humbur.
“Sidoqoftë, një gjë duhet ta dinë mirë të gjithë ata që e relativizojnë, e mohojnë, nuk e duan apo e urrejnë UÇK-në: betejën me UÇK-në e keni të humbur”, ka deklaruar ai. “Ju jeni veç ca vdekatarë të përkohshëm, statistika të pavlera njerëzimit, vizitorë të pagjurmë të kësaj bote. Ndërsa liria, dinjiteti e qytetërimi janë vlera e ideale njerëzore të përjetshme e të paçmueshme, do të rrojnë sa të ekzistojë njerëzimi. UÇK-ja është mishërim e simbol i këtyre vlerave e idealeve”.
Donika Gërvalla s’e përmendi UÇK-në në postimin e së hënës në Facebook, kur Kosova kremtonte përvjetorin e 23’të të çlirimit.