Flamur Kabashi, monitorues ligjor nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), shprehu shqetësime serioze në lidhje me ndëshkimin e një zyrtareje që kishte denoncuar shkeljet në rastin e ambalazhuesve.
Ai theksoi se kjo zyrtare kishte marrë guximin të raportonte për parregullsitë, por tani po përballet me procedura disiplinore.
“Kemi pasur një zyrtare brenda e ka lajmëruar këtë lloj dukurie e pretendimet që po bëhen këto shkelje në rastin e ambalazhuesve. Po du me shpresu dhe uru, sepse në vendimin e gjykatës që e kemi siguruar si ‘Betim për Drejtësi’ thuhet se po ndërmerren procedura disiplinore ndaj kësaj zyrtare. Po du me uru e shpresu se e njëjta të mos i nënshtrohet procedurave disiplinore se i ka lajmëruar këto shkelje. Të mos jetë rezultat i këtyre procedurave fakti se e njëjta i ka lajmëruar këto parregullsi”, tha Kabashi në “Konfront” të KTV-së.
Kabashi përmendi gjithashtu një rast tjetër, ku një sinjalizues që kishte raportuar për keqpërdorime në rezervat shtetërore ishte ndjekur dhe suspenduar. Ai e cilësoi këtë situatë si një shenjë të hakmarrjes ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin.
Kabashi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së sinjalizuesve, duke i konsideruar ata si faktorë kyç në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve institucionale.
Ai shprehu shqetësim se ndëshkimi i zyrtarëve të tillë do të krijonte një atmosferë frike dhe do të pengonte raportimin e shkeljeve në të ardhmen.
“Personi në fjalë ishte persekutuar e suspenduar shkaku i sinjalizimit që kishte bërë te rasti i rezervave shtetërore…Te rezervat kemi pasur procedurë prej kryeministrit, ministritë e komplet komunikimi e koordinimi që të mbulohen të gjitha dokumentet, të kthehen në dokumente sekretet, si sekrete shtetërore. Për të mos pasur qasje në to. Nuk do shumë mend se munden me pasur veprim të një vepre të aferës korruptive”, tha Kabashi.