Kuvendi Komunal në Kamenicë ka mbajtur këtë të premtë mbledhjen inauguruese.
Në këtë mbledhje është betuar Kryetari Kadri Rahimaj, po ashtu janë betuar dhe kanë nënshkruar deklaratën për marrjen e detyrës anëtarët e Kuvendit të Komunës së Kamenicës.
Mbledhjen e hapi asambleisti më i vjetër i Kuvendit Komunal Rabit Dermaku, i cili së bashku me asambleistët tjerë lexuan dhe nënshkruan deklaratën e betimit.
“Betohem që do t’i kryej detyrat e mija dhe do t’i ushtroj kompetencat e mija si kryetar i Komunës së Kamenicës me nder, besnikri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që të siguroj kushte për një jetë të qetë për të gjithë. Betohem”, ka thënë Rahimaj.
Pas mbylljes së mbledhjes inauguruese, ish kryetrari Qëndron Kastrati i ka dorëzuar detyrën e tij kryetari Kadri Rahimaj.
Kastrati duke uruar kryetarin Rahimaj ka thënë që nuk dyshon në angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të bërë punë të mira.
“Shfrytëzoj rastin ta uroj ty dhe të tjerëve që keni fituar. E di që nuk ka me qenë e lehtë, por nuk dyshoj në angazhimin dhe përkushtimin e juaj. Unë iu kam shkruar edhe një letër dhe aty janë disa çështje për të cilat do të kisha pasur dëshirë që t’i ecni përpara, ndërsa ne nuk hezitojmë edhe t’iu japim sygjerimet tona”, ka thënë Kastrati.
Po ashtu edhe kryetari Rahimaj ka falënderuar ish kryetarin Kastrati duke thënë se punët e mira që janë bërë do të vazhdojnë ende.
“Faleminderit për gatishmërinë tuaj dhe angazhimin katër vjeçar. Besoj që ka qenë sfidë për juve e do të jetë edhe për ne. Punët e mira që janë bërë do t’i vazhdojmë përpara. Në të ardhmen nuk e përjashtoj mundësinë e konsultimeeve dhe të hapave konkret për qytetarët”, tha ai./Gazeta Enigma/