Kadri Veseli “lirohet” për ta vizituar varrin e nënës dhe familjen (VIDEO)

Kadri Veseli “lirohet” për ta vizituar varrin e nënës dhe familjen (VIDEO)

Në Prishtinë erdhi me linjë direkte nga Roterdami. Një avion privat e transportoi Kadri Veselin nga selia e paraburgimit për në Kosovë. Ish kreu i Kuvendit të Kosovës erdhi me leje të përkohshme, humanitare, pasi i vdiq nëna të premten e 7 janarit.

Ndonëse nuk morri pjesë në ceremoninë e varrimit të saj, vendi ku prehet në fshatin Broboniq qe destinacioni i parë i tij, për t’i dhënë Ajshe Veselit lamtumirën e fundit, në rrethanat që i lejohen. Ndalesa e radhës ishte lagjja Bajr në Mitrovicë.

Në orën dy pasdite arriti në shtëpinë e prindërve për të takuar familjarët tjerë, ku u prit nga bashkëshortja dhe fëmijët, por gjithnjë i rrethuar nga forca të shumta sigurie që nuk i ndaheshin.

Këto të fundit s’e lanë as të dalë nga makina e EULEX-it pa u larguar mediat. Pasi doli, Veselin e kthyen sërish në veturë. Megjithatë e lanë të hynte në ambientet brenda, në vizitën që zgjati dy orë e 35 minuta.

Në një video shihet qartë se vizita në atdhe ia lehtësoi dhimbjen, teksa buzëqeshi kur përshëndeti të afërmit.

Nuk e takuan, por të njëjtën ditë në familjen Veseli shkuan për ngushëllime edhe kryekuvendari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e Ali Ahmeti.

Gratë e familjes i vizitoi edhe gruaja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Lumnija.
Kjo assesi nuk pranoi të japë ndonjë koment, edhe për faktin se është kaq afër me mediat që nga arrestimi i katërshes të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit./Gazeta Enigma/

Related Articles