Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj e ka potencuar që votimi i fshehtë nuk duhet të ndodhë për zgjedhjen e kryetarit apo kryetares së re të Kuvendit.
Kadrijaj është shprehur kështu pas deklaratës që bëri sot Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstituive, i cili tha se refuzimi për të votuar për komisionin e votimit të fshehtë është edhe refuzim i një të drejte të garantuar nga ligji.
“Le t’i siguron, masi po e konsideron le t’i sigurojë votat ne nuk mundemi me e ndalë. Edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se seancat konstituive nuk janë mbajtur në frymë kushtetuese. Pikërisht në pyetjen që e kemi adresuar kanë thënë pikërisht se forma e votimit duhet të kthehet në praktikat e mëhershme”.
“Nëse i shihni praktikat e mëhershme, shihni a ka pasë ndonjëherë votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin, në asnjë formë”, ka thënë Kadrijaj.