Deputetja e betuar e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrirjaj, tha se e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas saj, ka dhënë disa zgjidhje, sqarime dhe përgjigje.
“Ne e kemi mirëpritur dhe më vjen mirë që ne përkundër asaj se çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës jemi munduar t’i japim një zgjidhje kësaj bllokade të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, zgjedhja e kryeparlamentares në këtë rast dhe konstituimi i Kuvendit në tërësi, sepse e kemi konsideruar të jashtëligjshëm ndryshimin e formës së votimit”, tha deputetetja Kadrijaj.
“Ndërsa, tash me këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese janë dhënë disa zgjidhje, janë dhënë edhe disa sqarime të cilat në fakt kanë dhënë përgjgje. Fillimisht ne jemi të kënaqur me procedurës që kanë thënë se afati kohor për zgjidhjen dhe konstituimin e Kuvendit është njëmujor”, u shpreh ajo.
Kadrijaj në lidhje me atë se çfarë pritet të ndodhë në vazhdim, u shpreh se pritet të shihet dhe sipas saj, janë mësuar që VV-ja të mos i respektojë vendimet e Kushtetueses.
“Mirë që po qartësohet saktë se kush është bllokues i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, po qartësohet saktë se përgjegjësia është e partisë më të madhe, në këtë rast e Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Të shohim se si do të reagojnë apo si do të përgjigjen këta, sepse ne jemi mësuar që këta të mos i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe interpretimin e bëjnë sipas dëshirave të veta”, u shpreh tutje ajo.