Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, t’i japë urdhër policisë të mos gjobisë qytetarët që kanë patenta shoferi të skaduara.
Kjo pasi siç tha ai, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka disa muaj që qytetarët nuk mund të pajisen me letërnjoftime, patenta shoferi apo pasaporta.
“Këto s’janë vetëm pasaporta e patenta shoferi, por qytetarët e Kosovës, gjatë qarkullimit nëse ndalen nga policia gjobiten sepse kanë një patentë me afat të skaduar. Ministri duhet të japë urdhër që qytetarët të mos gjobiten për shkak se kanë një patentë me afat të skaduar sepse nuk është faji i tyre, por faji i institucioneve”, tha deputetja e AAK-së.
Tutje, deputetja Kadrijaj kërkoi edhe nga kryeministri Albin Kurti, të raportojë për atë se çka po ndodh në Bruksel, rreth çështjes së targave.
“Ndoshta kryeministri nuk na lë sot në terr informativ, por na tregon se çka po ndodh në Bruksel. Është e padrejtë që deputetët të mos kenë informata se çka po ndodh në Bruksel, çka po dialogohet atje dhe cili do të jetë fati i targave. Qytetarët me shqetësim po e presin datën 21 nëntor. Cili do të jetë rezultati i këtij dialogu për çështjen e targave?”, pyeti Kadrijaj Kurtin.