Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se avokati Besnik Berisha ka gabuar që ka zbuluar se spiuni i dyshuar, Bedri Shabani, është dëshmitar i procesit që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Në Rubikon të Klan Kosova, Kajtazi tha se me zbulimin e këtij fakti, avokati Berisha “ndoshta” është dashur të jetë në burg, e jo në studio televizive.
“Ishalla s’më bie ndonjëherë me pas punë penale, por Besnikun e kisha marrë për avokat. Unë e vlerësoj për pjesën e tij si jurist. Mbrojtjen e bën mirë. Megjithatë, Besniku sot ka folë se është dëshmitar i Speciales dhe në kushte normale, ndoshta ishte dashur të ishte në burg nga Specialja, e jo në studio me neve këtu, sepse po e zbulon identitetin e një dëshmitari të mbrojtur”, deklaroi ai.
Ndërkaq, avokati Krasniqi tha se klienti i tij, Bedri Shabani, nuk është dëshmitar i mbrojtur por vetëm dëshmitar, dhe shtoi se ai vetë ka kërkuar që këto të dhëna të publikohen.
“Ai po thotë, thuaju njerëzve se unë po persekutohem sepse jam dëshmitar i Hagës. Unë kam autorizim të them çka thotë ai”, u shpreh avokati Krasniqi.
Gazetari Kajtazi tha më tej se deklarata e Bedri Shabanit se është dëshmitar i Hagës, është mbrojtje e tij.
Në ndërkohë, Kajtazi tha se Shabani ka qenë doganier i Millosheviqit deri në qershor 1999, ndërsa theksoi se në vitin 1999 është arrestuar nga UÇK-ja.