Gazetari Vehbi Kajtazi ka vlerësuar se vendi po shkon drejt një krize të re politike, duke theksuar se aktualisht po flitet më shumë për zgjedhje të reja sesa për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Sipas Kajtazit, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me mungesën e komunikimit mes partive politike për arritjen e një konsensusi rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për një president konsensual, që u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim dhe jo vetëm një subjekti politik.
Në këtë kontekst, Kajtazi ka kritikuar rolin e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ajo deri më tani ka shërbyer interesave të Vetëvendosjes dhe jo interesit të përgjithshëm.
“Më shumë po flitet për zgjedhje të reja sesa për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Kjo çuditërisht lidhet me moskomunikimin e partive politike për të gjetur konsensues për të zgjedhur një president konsensual që i shërben të gjithë popullit, pa dallim, dhe nuk i shërben vetëm një partie politike siç ka shërbyer deri tash Vjosa Osmani, pra Vetëvendosjes”, u shpreh ai në “VV Show”.
Ai ka paralajmëruar se rreziku për të shkuar në zgjedhje të reja është më real se kurrë më parë.
“Rreziku për të shkuar në zgjedhje është më real se kurrë. Për zgjedhje flet Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve me 51 për qind. Për zgjedhje flasin edhe partitë opozitare të cilat nuk kanë dalë mirë nga raundi i fundit që u mbajt në dhjetor. Sidoqoftë, numrat janë ata qe e përcaktojnë. Nëse Vjosa Osmani i siguron numrat për një mandat tjetër atëherë në rregull është por duhet ta dijmë se ajo nuk i shërben popullit pa dallim por do të vazhdojë të jetë në shërbim të Vetëvendosjes, siç ka qenë”, tha Kajtazi.
