Kaledonia e Re bëhet shtet, por mbetet pjesë e Francës

Kaledonia e Re bëhet shtet, por mbetet pjesë e Francës

Franca ka njoftuar një marrëveshje të re “historike” me Kaledoninë e Re, pas një dekade tensioni dhe dhune që kulmoi vitin e kaluar me 14 të vrarë dhe dëme ekonomike që kapën vlerën prej dy miliardë eurosh.

Sipas kësaj marrëveshjeje, arkipelagu në Oqeanin Paqësor do të mbetet pjesë e Francës, por do të shpallet një “Shtet i Kaledonisë së Re”.

Presidenti Emmanuel Macron kishte ftuar për dialog palët që përfaqësojnë spektrin politik të territorit, përfshirë përkrahësit e Francës dhe ata që kërkojnë pavarësi. Bisedimet zgjatën 10 ditë dhe prodhuan një kornizë të re kushtetuese.

Deputeti Nicolas Metzdorf, kundër pavarësisë, deklaroi për AFP: “Arkipelagu do të mbajë një status brenda Francës, me kaledonianët që do të mbeten francezë.”

“Nuk janë planifikuar më referendume, me përjashtim të atij që konfirmon këtë marrëveshje.”

Kryeministri François Bayrou e quajti marrëveshjen “të dimensioneve historike”, ndërsa prioriteti i radhës, sipas palëve, është rimëkëmbja ekonomike.

“Prioriteti tani ishte rimëkëmbja ekonomike e Kaledonisë së Re pas dhunës së vitit të kaluar që vrau 14 persona dhe vlerësohet se i ka kushtuar territorit dy miliardë euro, duke ulur 10 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB),” shtoi Metzdorf.

Kaledonia e Re, me rreth 270 mijë banorë dhe rreth 17 mijë kilometra larg Parisit, mbetet një nga territoret më të largëta të Francës. Ajo është nën administrim francez që nga shekulli XIX, por pjesë e madhe e komunitetit indigjen kanak vazhdon të kërkojë më shumë autonomi dhe njohje të identitetit të tyre politik.

Related Articles