Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar pas incidentit me të shtëna në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Washington Hilton, ku i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kallas ka thënë se dhuna politike nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin kurrë në hapësira që synojnë të nderojnë shtypin e lirë.
Ajo është shprehur e lehtësuar që të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë presidentin Trump, kanë dalë të sigurt nga incidenti, duke i uruar shërim të shpejtë oficerit të plagosur.
“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. Një ngjarje që synon të nderojë një shtyp të lirë nuk duhet të bëhet kurrë një skenë frike”, ka shkruar Kallas.
Të shtënat u raportuan gjatë fillimit të darkës, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve, të cilët u shtrinë në dysheme dhe më pas u evakuuan nga forcat e sigurisë. Agjentët e Shërbimit Sekret ndërhynë menjëherë, ndërsa i dyshuari u arrestua në vendngjarje. Hetimet për rastin po vazhdojnë.
