Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka refuzuar të japë komente për kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për atë të Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese, pa takuar më parë udhëheqësit në Prishtinë.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Beograd, Kallas u shpreh se do të adresojë të gjitha shqetësimet pas vizitës së saj në Kosovë.
“Ne do të udhëtojmë nga këtu në Kosovë. Unë nuk do të komentoj për këtë para se të ulem edhe me Kosovën dhe të adresoj të gjitha shqetësimet që kemi me ta. Kështu që unë do ta bëj atë atëherë,” deklaroi ajo.
Kryediplomatja e BE-së theksoi se është e re në këtë proces dhe po përpiqet të kuptojë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se objektivi kryesor i BE-së mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Çfarë na duhet është normalizimi i marrëdhënieve. Është e nevojshme për të ardhmen e të dy vendeve. Pra, kjo është ajo për të cilën ne po punojmë”, përfundoi Kallas.