Kallas: Të tejkalohen pengesat politike, 90% e duan Kosovën në BE

Kallas: Të tejkalohen pengesat politike, 90% e duan Kosovën në BE

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së. Kaja Kallas, duke folur për shtensionimin e veriut të vendit, iu referua marrëveshjes së Ohrit, ku tha se në atë dokument është një klauzolë ku bëhet fjalë për  idenë e integrimit të institucioneve serbe në Kosovë.

Ajo tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE. “Pra, obligimet janë aty, sipas marrëveshjes së Ohrit, dhe ato duhet të përmbushen”, tha ajo.

Kallas shtoi se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike kanë deklaruar se Bashkimi Evropian është e ardhmja e Kosovës.

“Mendoj se mbi 90% e njerëzve këtu e kanë mbështetur Bashkimin Evropian. Pra, merreni këtë si qëllim dhe, e kuptoj që politikisht është e vështirë, sepse njerëzit kanë edhe pyetje dhe ndoshta ndonjëherë është politikisht tunduese që të luash me ndjenjat e njerëzve, por në të njëjtën kohë kur e dini se qëllimi juaj është që hyni në Bashkimin Evropian dhe se duhet t’i kapërcejmë këto pengesa, atëherë le ta ndajmë këtë përgjegjësi në të gjithë spektrin politik, që do të thotë ato parti që janë në qeveri, që do të jenë në qeveri, por edhe ato që janë në opozitë”, tha Kallas për RTK-në.

Kryediplomatja Kallas, duke folur për të ardhmen e Kosovës në BE, përmendi Estoninë, si një vend me të njëjtën situatë të paraanëtarësimit në BE.

“Do t’jua jap një shembull. Estonia ishte në të njëjtën situatë në fakt. Dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian na janë kërkuar disa reforma vërtetë të vështira. Por kërkohet edhe mendësinë e të gjithë popullit se duhet ta bëjmë këtë, sepse është më mirë për vendin tonë, për popullin tonë, pavarësisht se a je në opozitë apo në koalicion. Dhe i dolëm”, tha Kallas.

Related Articles