Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre apo edhe nga shoqet e shokët. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e shantazhet ndaj tyre. Për një rast të tillë Policia në Gjakovë ka arrestuar një person, i cili po dyshohet se e ka kërcënuar një 19-vjeçare.
Rasti u zbulua pasi vajza kërkoi ndihmë duke e denoncuar të dyshuarin 33-vjeçar, me të cilin thotë se ka pasur vetëm raport shoqëror, por i njëjtë e ka kanosur seriozisht, çka i ka krijuar shqetësim e frikë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e 19-vjeçares, të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari e ka shantazhuar se do t’ia shpërndajë disa fotografi të saj me një person dhe më pas e kë përcjellë deri te banesa.
Për të mos mbaruar me kaq, ai e ka kërcënuar duke i thënë se “kam me të la me gjak, motrat e nanën kam me t’i q*”. Përballë kësaj situate ajo është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.