Presidentes së vendit, Vjosa Osmani i ka skaduar mandati pas pesë vitesh në këtë pozitë. Nga sot, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit.
Osmani në fjalën gjatë dorëzimit të mandatit te Haxhiu, tha se ka qenë një prej dëshirave të saj që kur të largohet nga ky post, ta lë prapa një grua. Ajo tha se shpreson që vendi sa më parë ta zgjedhë presidentin e ri.
“Gjithnjë ka qenë një prej dëshirave të mia të mëdha që kur të dalë ta lë një grua prapa. Dhe sot kjo dëshirë po më plotësohet.
Nuk do të jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyjat. Sado që të dyja detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme. Shpresojmë që Kuvendi sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedh presidenten e re në mënyrë që të kemi stabilitet institucional, në një kohë kur bota po përballet me kriza të mëdha”, tha Osmani në fjalën e saj.
Osmani, më pas ka publikuar adresimin e saj përmbyllës duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke theksuar se gjatë pesë viteve në detyrë është udhëhequr nga parimet e integritetit, sovranitetit dhe aleancave strategjike.
Në fjalimin e saj lamtumirës, Osmani e cilësoi shërbimin ndaj shtetit si nderin më të madh, ndërsa theksoi se besimi i qytetarëve ka qenë “busulla” e saj në çdo vendimmarrje.
Ajo nënvizoi se gjatë mandatit ka mbrojtur interesin shtetëror, duke e lidhur të kaluarën e sakrificës me vizionin e presidentit historik Ibrahim Rugova për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike.
Osmani theksoi rolin kyç të aleancave ndërkombëtare, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, duke i cilësuar ato si themel për sigurinë dhe paqen në vend. Ajo shtoi se gjatë mandatit të saj Kosova ka forcuar pozicionin ndërkombëtar, duke siguruar njohje të reja, liberalizimin e vizave dhe avancim në proceset integruese drejt BE-së dhe NATO-s.
Në aspektin e sigurisë, presidentja vlerësoi punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e saj në ruajtjen e stabilitetit, ndërsa paralajmëroi për sfidat e kohës moderne, përfshirë dezinformimin dhe propagandën.
Osmani tha se shpeshherë besnikëria ndaj parimeve është parë si pengesë, por theksoi se gjithmonë ka zgjedhur integritetin mbi komoditetin. “Republika nuk është instrument. Është amanet”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalimit, Osmani tha se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin edhe pas përfundimit të mandatit.
“Sot largohem nga kjo detyrë, por assesi, assesi, nga përkushtimi për atdheun tonë të dashur”, tha Osmani.
