Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, thotë se diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është sistematik dhe i organizuar.
Kamberi deklaroi kështu duke iu referuar deklarimit të zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatorit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, i cili sot njoftoi përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.
“Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Mes tjerash, Kamberi thotë se institucionet serbe duhet ta kuptojnë se nuk mund të promovojnë “dialog” në Bruksel ndërkohë që përdorin administratën për të sabotuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike dhe institucionale që çdo fëmijë, çdo familje dhe çdo qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pretendon se i respekton”.
