Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka komentuar ndërhyrjen në Universitetin e Novi Pazarit, që sipas tij është përpjekje për të shuar betejën e studentëve boshnjakë për barazi dhe shtet të së drejtës, raporton Gazeta “Enigma”.
Kamberi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se kjo ndërhyrje u bë për t’i paraqitur pakicat si element destabilizues.
Tutje ai ka theksuar se kjo flet qartë për gatishmërinë e këtij regjimi, siç u shpreh ai, për të heshtur zërin kritik dhe për të vrarë energjinë studentore. Studentët prej muajsh po përpiqen ta ‘çkapin” shtetin nga strukturat autokratike.
“Pse pikërisht Novi Pazari dhe pse pikërisht ky universitet? E qartë: Nxitja e konfliktit në zona të banuara me qytetarë nga radhët e pakicave – për t’i paraqitur pakicat si element destabilizues e antishtetërorë. Një taktikë e vjetër nga repertoari i të ’90-ve”, shkroi ndër tjerash ai.
Ndryshe, persona të paidentifikuar, të shoqëruar nga përfaqësues të administratës, hynë në ndërtesën e Universitetit Shtetëror në Novi Pazar këtë mëngjes dhe i nxorën me forcë studentët që morën pjesë në bllokadën e atij institucioni. /Gazeta Enigma/