Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nxjerrë një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në hapësirat publike dhe të përbashkëta në territorin e komunës, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë gjatë festave të fundvitit.
Sipas urdhëresës, ndalohet ndezja, përdorimi dhe shpërndarja e të gjitha llojeve të fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike në rrugë, sheshe, tregje, trotuare, parqe dhe zona të banuara.
Kjo ndalesë do të zbatohet nga 19 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve, më 31 dhjetor 2025, nga ora 23:30 deri më 00:30 të 1 janarit 2026.
Urdhëresa parasheh se personat që veprojnë në kundërshtim me këtë vendim do të gjobiten me 100 euro, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun është obliguar të informojë qytetarët dhe subjektet relevante për këtë vendim, ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, do të mbikëqyrë zbatimin e urdhëresës.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të tij.
