Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Evropa nuk mund të sigurojë furnizimet e saj me energji pa importe nga Rusia.
Energjia u la qëllimisht jashtë rundeve të mëparshme të sanksioneve, tha Scholz në një njoftim për shtyp të hënën, duke shtuar se energjia e Rusisë ka rëndësi thelbësore për jetën e përgjithshme të qytetarëve të saj.
“Aktualisht, furnizimi i Europës me energji për nxehtësi, furnizim me energji elektrike e industri nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë tjetër”, theksoi ai.
BE-ja mbështetet tek Rusia për 40% të nevojave të saj për gaz dhe rreth 27% të importeve të naftës.
Ndërkohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, kur u pyet për potencialin për sanksione ndaj energjisë ruse, tha se opsionet që ishin të paimagjinueshme tre javë më parë, tani janë në tryezë.
“Duhet të mendojmë se si të gjithë mund të largohemi sa më shpejt që të jetë e mundur nga varësia nga hidrokarburet, nafta dhe gazi rus. Të gjithë po e bëjnë këtë. Të gjithë janë në të njëjtin drejtim”, tha Johnson.
Të dielën, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se SHBA po punon me aleatët e saj në Evropë për të shqyrtuar mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse në një përpjekje për të ndëshkuar më tej vendin agresor./Gazeta Enigma/