Kancelari gjerman Olaf Scholz është planifikuar të vizitojë Ballkanin Perëndimor dhe qëllimi i kësaj vizite është thënë të jetë përgatitja e mirë për samitin e Procesit të Berlinit.
Dhe në këtë drejtim, sipas burimeve të Deutsche Welle në gjuhën serbe, Scholz pritet që përveç Beogradit (më 10 qershor), të vizitojë edhe Prishtinën, dhe udhëtimi tenton të shndërrohet në një turne të vogël ballkanik me vizita në Tiranë dhe Shkup, dhe ndoshta në Sarajevë.
Mediumi në fjalë citon gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, i cili kishte raportuar në Twitter se Scholz do të vinte në Beograd më 10 qershor.
Duke iu referuar burimeve të sigurta nga Berlini, ai kishte thënë se temat do të jenë “energjia, ekonomia, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë” e të tjera.
Një burim i DW ndërkohë ka vlerësuar se Scholz po përpiqet të përgatitet mirë për samitin e Procesit të Berlinit, i cili ndoshta do të zhvillohet në gusht.
“Ndryshe nga ish-kancelarja Angela Merkel, Scholz është më shumë drejt zgjidhjeve konkrete. Ai kujdeset që ky samit të mos jetë thjesht një udhëtim i kushtueshëm, por të arrihen zgjidhje konkrete”.
Ndryshe, qëllimi i Procesit të Berlinit është të lidhë më ngushtë rajonet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve