Mungesa e ujit të pijes, kanalizimit, infrastrukturës e gjendja në arsimin janë temat kryesore për të cilat diskutuan e premtuan gjashtë kandidatë në garën për kryetar të Komunës së Malishevës.
Në garë për Malishevën janë Enver Hoti nga AAK, Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Ademaj nga LDK, Gëzim Bytyqi nga PDK, Selajdin Bytyqi (kandidat i pavarur), Valon Hoti nga LVV dhe Valon Krasniqi nga GUXO.
Në #DebatPërnime për të diskutuar mbi programet e partive politike mungoi kryetari aktual dhe kandidati i Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati.
Plani i AAK-së për Malishevën
Për kandidatin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Enver Hoti prioritet do të jetë demokratizimi i komunës.
“Prioriteti ynë i parë është demokratizimi i komunës, kthimi i komunës së qytetarëve të Malishevës, që punëtorët që punojnë aty, pa dallim të punojnë lirshëm dhe të punojnë brenda detyrave dhe përgjegjësive që i kanë. Kjo është si vizion i menaxhimit, planifikimit, realizimit dhe kontrollimit të buxhetit komunal, sepse aty fillon edhe buron gjithçka” – tha ai.
Hoti premtoi zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm, energji elektrike e kanalizime.
“Mandej janë disa prioritete të tjera si objektiva, të cilat në Malishevë kemi vështirësi të mëdha si qytetarë siç është uji, është rryma, është infrastruktura dhe shërbimet publike, pra kanalizimet. Është gjendja në arsim, është gjendja jo e mirë në strukturën e ndërtimit brenda qytetit të Malishevës, për shkak të mungesës së zonave zonale dhe për shkak të mungesës së planifikimeve të mirëfillta me një bazë ligjore të ndërtimeve, të cilat po ndërtohen vazhdimisht. Kemi të bëjmë me gjendjen e fermerëve jo të mirë dhe mungesë të mbështetjes komunale. Po ashtu është gjendja e rinisë, ruajtja e hapësirës publike, e cila për çdo ditë po zvogëlohet”- tha Hoti në Debat Përnime.
Premtimet e kandidatit të LDK-së për Malishevën
Fatmir Ademaj, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës premtoi që në dy vitet e para të mandatit si kryetar i Malishevës, qytetarëve t’ua sjell ujin për pije.
“Prioritet i parë i Lidhjes Demokratike, e imi si kryetar komune, është çështja e ujit të pijshëm në komunën e Malishevës. Pa dyshim se ky problem është i zgjidhshëm, qoftë përmes nivelit qendror, i cili ka implikim të drejtpërdrejtë, por nëse kjo nuk ndodh brenda gjashtëmujorit të parë nga marrja e mandatit, do të përkujdesem si kryetar i komunës që në kohën dyvjeçare të përfundojë çështja e ujësjellësit në komunën e Malishevës. Gjithashtu do të inkuadrohen edhe mekanizmat për zgjidhjen e problemit të rrymës elektrike”- tha ai.
Ademaj nga LDK premtoi se në qeverisjen e tij, do të fuqizohet roli i Këshillave Lokalë.
“Si problem ose fokus kryesor i imi do të jenë këshillat lokalë, për shkak se aty buron demokracia dhe aty buron vendimmarrja. Unë do t’i fuqizoj fuqishëm këshillat lokalë, duke filluar nga hartimi i buxhetit dhe duke marrë të gjitha prioritetet nga lokalitetet, për shkak se ne politikanët do të duhej të udhëheqim nga kërkesat e qytetarëve”- tha ai.
“Komuna e Malishevës ka nevojë në infrastrukturë rrugore, shkollore, shëndetësore e të gjitha këto, për shkak se kemi probleme të mëdha, qoftë në rrugë, kanalizim, mirëmbajtje të rrugëve e shumë probleme të tjera. Subvencionimi në sferën e bujqësisë është i domosdoshëm në Malishevë, për shkak se duhet ta kuptojmë qartë se ne duhet t’i vetëdijësojmë qytetarët se kemi nevojë për punë dhe për angazhim edhe në bujqësi. Subvencionimi në kulturë, subvencionimi në biznese ‘startup’ dhe në përgjithësi angazhimi ynë në subvencionimin e sferave të ndryshme”- premtoi Ademaj.
Plani i PDK-së për Malishevën
Gëzim Bytyqi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës tha se prioritet të parë do ta ketë sigurimin e ujit për pije për qytetarët e Malishevës, duke thënë se ka zgjidhje për këtë sfidë.
“Prioriteti i parë për mua si kryetar komune do të jenë ujërat dhe kanalizimet. Uji, si uji i pijes, ashtu edhe menaxhimi i ujërave në Malishevë. Unë konsideroj që problemi i ujit është i zgjidhshëm edhe me menaxhimin e burimeve që i kemi nëpër Malishevë, sepse rreth 70% e ujit humbet nga tubacionet dhe rezervuarët që kemi. Lidhja me KRU “Gjakova” është gjithashtu e mundshme, sepse për ujin e pijes mund të garantohen marrëveshje ndërkomunale dhe ndërshtetërore” – tha ai.
Arsim cilësor, shërbime shëndetësore e mbështetje të bujqve, janë disa nga pikat e programit të Bytyqit për Malishevën.
“Prioriteti i dytë është arsimi cilësor. Arsimi në Malishevë është jashtëzakonisht i politizuar. Rreth gjysma e drejtorëve të shkollave janë ushtrues detyre. Shëndetësia, në fushën e së cilës unë i përkas, është gjithashtu jashtëzakonisht e politizuar dhe ka mbështetje të vogël dhe mbikëqyrje fare. Mbështetja e bujqve në mënyrë të barabartë do të jetë fokusi jonë kryesor, në bashkëpunim me këshillat lokale dhe me komisionet profesionale mbikëqyrëse”- premton Bytyqi.
Cfarë premton kandidati i pavarur në garën për Malishevë?
Selajdin Bytyqi është kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës së Malishevës.
Bytyqi tregoi se pse i ka hyrë kësaj gare.
“Unë i kam hyrë kësaj gare për arsye se kam parë dhe po shoh në vazhdimësi pakënaqësi të mëdha tek qytetarët dhe, duke vërejtur anarki dhe burokraci të madhe në pushtetin aktual, do të përpiqem të kontribuoj sa më shumë që të mundem për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Malishevës”- tha ai.
Bytyqi premtoi përmisimin e infrastrukturës në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.
“Sa i përket arsimit, do të mundohem gjithashtu të kontribuoj në përmbushjen e nevojave që do të shfaqen në të ardhmen. Nëse arri të qeveris komunën e Malishevës, unë do të sigurohem që drejtorët e drejtorive të jenë të lirë të punojnë, pa u kapur apo dirigjuar nga kryetari i komunës, sikurse ka ndodhur deri tash me kryetarin aktual. Gjithashtu, do të kontribuoj në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Kam disa projekte të paracaktuara që duhet t’u jepet prioritet. Njëra prej tyre është ngritja e urës që është e domosdoshme tek fshati Gurbardhë”- tha ai.
Premtimet e LVV-së për Malishevën
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në garën për Malishevën, Valon Hoti premtoi ndërtimin e dy impianteve për ujëra të zeza, ndërtimin e një nënstacioni energjetik e ujë për pije.
Hoti tha se LVV-në në krye të Malishevës, gratë dhe rinia do të jenë të përfaqësuar në pozita udhëheqëse.
“Gratë dhe rinia do të jenë të përfaqësuar në komunë, në shkolla dhe në udhëheqjen e ndërmarrjeve publike. Aktualisht kemi vetëm një grua drejtoreshe shkolle dhe do të bëjmë maksimumin që kjo të arrijë së paku në raport 50-50” – tha ai.
Hoti i LVV-së premtoi rend urban në Malishevë, pishinë gjysmë-olimpike, kinema e digjitalizim të shkollave.
“Malisheva do të ketë rend urban dhe ky rend do të sigurohet përmes investimeve në unazën e qytetit dhe rrugët që lidhen me të. Do të ketë një pishinë gjysmë-olimpike dhe një objekt multi-funksional ku të ushtrojnë aktivitete rinia, OJQ-të, gratë dhe pensionistët. Do të kemi gjithashtu sallë për kinema dhe ekspozita, dhe hapësira të tjera publike. Do të themelojmë një ndërmarrje komunale që do të kujdeset për secilën hapësirë publike, duke siguruar qytetarët që të jenë të sigurt në ambientet publike dhe të mos ballafaqohen me këto probleme të përditshme. Ne gjithashtu do të investojmë në sallat e sporteve dhe në digjitalizimin e secilës shkollë”- tha ai.
Premtime e GUXO-s për Malishevën
Kandidati i GUXO-s për kryetar të Malishevës, Valon Krasniqi premtoi largimin e personave që sipas tij punojnë pa kontrata në institucione publike, largimin e personave të cilat sipas Krasniqit marrin asistencë sociale pa të drejt.
“Sa i përket plan-programit tonë për Malishevën, fillimisht fokusimi jonë është në drejtësi dhe barazi. Largimi i punëtorëve në komunë, QKMF dhe Arsim që vazhdojnë të punojnë pa kontrata, duke krijuar një sistem të qartë, transparent dhe të ligjshëm të punësimit. Reformimi i asistencës sociale duke larguar nga lista personat të cilëve nuk u takon ndihma dhe duke orientuar mbështetjen vetëm tek familjet që me të vërtetë kanë nevojë”- tha ai.
Krasniqi tha se do të vazhdoj ndërtimin e rrugëve dhe investime të reja urbane.
Urbanizmi në Malishevë, cfarë premtojnë kandidatët për kryetar?
Komuna e Malishevës e ka të miratuar Planin Zhvillimor Komunal por e ka ende në proces të miratimit Hartën Zonale.
Në Debat Përnime gjashtë kandidatët për kryetar të Malishevës shpalosën programin e tyre për urbanizmin në këtë qytet.
Valon Krasniqi nga GUXO premtoi largimin e ndërtimeve pa leje dhe kthimin e hapësirës publike.
“Unë premtoj rrjet rrugor urban, të asfaltuar dhe ndriçuar me sinjalistikë moderne; transport publik lokal që lidh fshatrat me qytetin; ndërtimi i një parku të madh në qendër të Malishevës, si hapësirë rekreacioni për qytetarët; zhvillimi i zonës tregtare dhe hapësira për bizneset lokale; riciklim dhe menaxhim modern i mbeturinave; pastërti dhe gjelbërim i qëndrueshëm; zgjerim i qytetit në mënyrë të planifikuar, me zona të ndara për banim, tregti, biznese dhe hapësira të gjelbra; rregullim dhe modernizim i qendrës së qytetit me sheshe, trotuare dhe parkingje publike; largimi i ndërtimeve pa leje dhe kthimi i hapësirave publike te qytetarët”- tha Krasniqi.
Krasniqi premtoi se nuk do të lejoj ndërtimin e banesave më lartë se gjashtë kate mbi përdhesë.
Kandidati i LVV-së, Valon Hoti tha se Malisheva ka nevojë për urbanizëm të plotë duke përfshirë dhe fshatrat. Krasniqi premtoi se do të miratoj Hartën Zonale.
“Me ardhjen tonë në qeveri do të ketë menjëherë miratim të Hartës Zonale dhe do të bëjmë, përveçse unazën e qytetit, edhe stacionin e ri të autobusëve, organizimin e shiritave deri në unazën e re të qytetit, por do të investojmë edhe në Kijevë si qendër. Kijeva do të bëhet një mini-qendër për fshatrat përreth. Kurse në fshatrat e Malishevës, infrastruktura rrugore, trotuaret, kanalizimet dhe ujësjellësit do të jenë të përfunduara me ne”- tha ai.
Hoti tha se do të konsultohet me ekspertë dhe qytetarë për numrin e kateve që do të lejohen të ndërtohen në Malishevë.
Selajdin Bytyqi, kandidat i pavarur tha se plani i tij urban përmban disa ndryshime tek nënkalimi i ndërtuar në Malishevë.
“Plani im urban do të jetë ndryshimi në disa vende te nënkalimi i pushtetit aktual, sepse kanë bërë shumë gabime. Gabimet janë te nënkalimi bash në qendër të Malishevës, kanë ndërtuar mure ndoshta deri në 3 metra lartësi betoni dhe i kanë bllokuar të gjitha bizneset. Afarizmi katet e para të bizneseve, absolutisht nuk funksionojnë. Duhet me u sjellë rreth e rreth Malishevës për me kaluar në të majtë apo në të djathtë. Unë ato mure do t’i rrënoj do t’i ul, dhe do t’ua çeli frymën bizneseve, thjesht që të marrin frymë”- tha ai.
Bytyqi premtoi se nuk do të lejon ndërtimin e banesave më të larta se tetë kate.
“Logjikisht, edhe për bukurinë e qytetit, unë do t’i kisha lejuar deri në tetë kate, zakonisht dy-katër për afaristë dhe gjashtë për banim”- tha Bytyqi.
Gëzim Krasniqi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për Malishevën tha se hap i parë në fushën e urbanizmit është krijimi i hartave zonale.
“Sa i përket urbanizmit dhe planifikimit urban, krijimi i Hartave Zonale është hapi i parë, sepse Hartat Zonale përcaktojnë qartë vijat kufizuese të ndërtimit, ndarjen e zonave të banimit, hapësirat publike dhe gjelbëruese, infrastrukturën rrugore dhe transportin urban e ndër urban. Ky proces do të garantojë që qyteti të funksionojë sipas standardeve të një qyteti normal dhe modern, duke lehtësuar jetën e qytetarëve dhe institucioneve publike, duke krijuar kushte e mundësi për biznese dhe besueshmëri për investitorët”- tha ai.
Krasniqi premtoi ndërtimin e rrugëve lidhëse të qytetit, gjelbërim dhe ndriçim të rrugëve e hapësirave publike.
“Rregullimi dhe mirëmbajtja e rrugëve ekzistuese, të cilat janë shumë të lëna pas dore, dhe krijimi i rrugëve lidhëse të qytetit me qarkoren, janë domosdoshmëri. Buxheti i komunës nuk e përballon ndërtimin e qarkores atë do ta ndërtojë qeveria, cilado që të jetë. Gjithashtu, rregullimi i ujit të pijes, kanalizimeve, shtratit të lumit Mirusha që është shumë me rëndësi, gjelbërimi dhe ndriçimi i rrugëve e hapësirave publike, sinjalistika dhe qasja për persona me aftësi të kufizuara janë prioritete” – premtoi ai në Debat Përnime.
Ai tha se do të lejoi ndërtimin e banesave deri në gjashtë kate.
Fatmir Ademaj, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës premtoi se në brenda gjashtë muajve në mandatin si kryetar do të marrë të gjitha përgjegjësitë për të krijuar Hartat Zonale.
Fokus të veçantë, Ademaj tha se do t’i kushtojë ndërtimit të një parku në qytet.
“Fokus të rëndësishëm do të jetë ndërtimi i një parku në qytet, për shkak se qyteti ka shumë nevojë për një hapësirë të tillë”- tha ai.
Ndërsa theksoi se ndërtimi i banesave do të lejohet deri në tetë kate.
Enver Hoti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se prioritet do ta ketë miratimin e hartës zonale.
“Unë do të marr përsipër që të miratoj dhe të realizoj Hartat Zonale dhe do t’i rregulloj edhe lagjet përreth qendrës së Malishevës, për shembull lagja e Koleshit, ku njerëzit që prej 20 vitesh presin për të ndërtuar dhe institucionet kurrë nuk janë kujdesur për ta. Do të vazhdojmë me një ndërtim të rregullt, normativ dhe ligjor, duke i përfillur të gjitha ligjet e aplikueshme”- tha ai.
Hoti i AAK-së theksoi se tetë kate janë mjaftueshëm për ndërtimet në qendër të Malishevës.
“Unë nuk do të shpreh ndonjë lartësi specifike sepse këtë duhet ta përcaktojmë mbi bazën e ligjit, planeve dhe ekspertëve. Në qendër, tetë kate do të ishin të mjaftueshme”- tha ai.
Premtimet për arsim të kandidatëve për Komunë të Malishevës
Enver Hoti nga AAK premtoi depolitizim të shkollave në Malishevë dhe investime në kabinete.
“Prioriteti im është gjendja në arsim. Në arsim duhet të investohet shumë, të depolitizohet arsimi, të investohet në kabinete dhe në modernizim të procesit të mbarëvajtjes. Duhet të punohet shumë edhe në higjienë, në furnizim të rregullt me energji dhe me lëndë djegëse, shpenzimet që duhen për shkolla të jenë të mjaftueshme”- tha ai.
Hoti premtoi se brenda mandatit 4 vjeçar si kryetar do të nis mësimi gjithë-ditor në tri deri në pesë shkolla.
“Unë mendoj se brenda mandatit tim mund të fillojmë me tre deri në pesë shkolla për mësim gjithë-ditor, por duhet një analizë e kujdesshme dhe punë intensive në arsim”- tha ai.
Fatmir Ademaj nga LDK tha se mësimin gjithë-ditor do ta fillojnë në tri shkolla për ta rritur këtë numër deri në fund të mandatit katër vjeçar.
“Saktësisht, çështja e prioriteteve në programin tonë është arsimi gjithë-ditor. Angazhimi ynë si kryetar komune do të jetë që të fillojmë me tre shkolla fillimisht dhe deri në fund të mandatit së paku t’i kemi pesë shkolla”- tha ai.
Ademaj theksoi se do të angazhohet fuqishëm për decentralizim të financave shkollore.
“Pastaj do të angazhohem fuqishëm për decentralizimin e financave shkollore. Ka shumë rëndësi decentralizimi i financave të shkollës, sepse sot, me shërbimet e centralizuara në nivel qendror, kemi telashe dhe probleme me gjërat elementare në shkollë, duke filluar nga letra dhe shumë probleme të tjera. Andaj këto shërbime duhet të decentralizohen dhe shkollat të kenë, përmes drejtorisë së arsimit, buxhet për implementim të drejtpërdrejtë”- tha ai.
Gëzim Krasniqi, kandidati i PDK-së si prioritet në fushën e arsimit tha se do ta ketë depolitizimin e arsimit.
“Depolitizimi i arsimit është e para. Nga rreth 20 e sa drejtorë që i përmenda, të cilët janë me ushtrues të detyrës, ata janë njerëz që janë nën presion. Ata mund të jenë ekspertë të mirë. Nëse duan të bëhen drejtorë, le t’i bëjnë edhe militantët e vet, por le t’ua mundësojnë që të kryejnë punën siç duhet.” – tha ai.
“Investimi në mjete konkrete higjienike nëpër shkollat e Malishevës është i domosdoshëm, edhe për shkak të mos investimit edhe për shkak të kanalizimit të keq, kundërmon era, investimet në çerdhe ku ju mundësohet femrave krijimin e karrierës” -tha ai, derisa shtois e synim ka që mësimi në shkolla fillimisht të bëhet me vetëm një ndërrim.
“Faza e parë do të përpiqet të kalojë mësimin në një ndërrim, dhe pastaj do të shqyrtohen mundësitë për pilot projektin për mësim gjithë-ditor, pasi të zgjidhet problemi i parë”- tha ai.
Edhe Selajdin Bytyqi, kandidat i pavarur për Malishevën nuk premtoi mësim gjithë-ditor.
Valon Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje premtoi ndërtimin e 10 çerdheve në Malishevë.
“Do të largojmë dorën e ndërhyrjes politike në shkollë. Do të zgjasim dorën e investimit përmes modernizimit të kushteve në shkolla, dixhitalizimit të tabelave dhe laboratorëve, si dhe investimeve në mjete të tjera përcjellëse. Deri në fund të mandatit do të jenë 10 çerdhe total të ndërtuara publike në Malishevë dhe do të kemi një qendër teknologjike në qytet, e cila do të jetë në funksion të të gjithë nxënësve dhe mësuesve të Malishevës, në mënyrë që teknologjinë që do ta sjellim në shkolla të përdoret për kurse dhe trajnime”- tha ai.
Hoti premtoi se do të tentojnë që të nisin mësimin gjithë-ditor në tri shkolla gjatë mandatit katër vjeçar.
“Unë zotohem që në tre shkolla do të tentojmë fillimin e mësimit gjithë-ditor, për ta zgjeruar më pas në të gjitha shkollat” – tha ai.
Valon Krasniqi, kandidati i GUXO-s premtoi përmirësim të kushteve në të gjitha shkollat e Malishevës.
“Gjatë mandatit tonë, me plot guxim synojmë të përmirësojmë kushtet moderne në të gjitha shkollat e komunës duke filluar me ato që kanë nevoja më urgjente, për t’u dhënë çdo nxënës mundësi për arsim cilësor”-tha ai.
Komuna e Malishevës aktualisht udhëhiqet nga Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate.