Millosh Kovaçeviq, 32 vjeç, nga fshati Bajë i Komunës së Skenderajt, thotë se është shkarkuar nga autoriteti i përkohshëm komunal, që vepron brenda sistemit të Serbisë, vetëm për faktin se është angazhuar politikisht kundër Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Ai është kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga Iniciativa Qytetare për Drejtësi Popullore.
Zgjedhjet parlamentare në vend do të mbahen më 9 shkurt.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kovaçeviq thotë se një anëtar i autoritetit të përkohshëm komunal në Skenderaj, Nebojsha Tomasheviq, i ka thënë më 27 janar se “do të sigurohet që ai të mos marrë më asnjë rrogë nga buxheti i Serbisë, sepse është tradhtar”.
“Unë, thjesht, dua të ndryshoj diçka në qytetin tim, në fshatin tim. Që njerëzit të jetojnë së paku pak më mirë”, thotë Kovaçeviq, të ardhurat e vetme të të cilit ishin një kompensim mujor prej 40.000 dinarësh, ose 350 eurosh, nga autoriteti i përkohshëm komunal i Skenderajt.
Që nga shkurti i vitit 2023, Kovaçeviq kishte një kontratë që i vazhdohej çdo gjashtë muaj.
Por, rreth një muaj para se t’i skadonte kontrata më 31 janar, ai thotë se punëdhënësi e çregjistroi nga sistemi i pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore.
Kovaçeviq thotë se në këtë mënyrë e ka kuptuar se “kërcënimet” e Tomasheviqit janë realizuar.
“Nuk shoh ndonjë arsye tjetër të justifikueshme për shkarkimin tim, përveç asaj politike”, thotë ai.
Përndryshe, në kontratën për punë që ka pasur Kovaçeviq me autoritetin e përkohshëm komunal të Skenderajt, thuhet se “punëdhënësi rezervon të drejtën që në mënyrë të njëanshme dhe pa shpjegime ta ndërpresë kontratën, nëse punëmarrësi nuk i kryen detyrat e besuara”.
Kovaçeviq beson se kjo është edhe arsyeja përse askush nuk e ka njoftuar për ndërprerjen e kontratës.
Për t’i mbështetur pretendimet e tij, Kovaçeviq dha qasje në të dhënat e tij personale të sigurimit shëndetësor, të cilat tregojnë se kontrata e tij është ndërprerë më 31 janar dhe se punëdhënësi nuk do t’i paguajë më kontributet e tij.
Gjithashtu, në regjistrat e sigurimeve pensionale shihet se punëdhënësi e çregjistronte çdo gjashtë muaj dhe e regjistronte një ditë më vonë, në përputhje me kontratën e zgjatur. Por, pas çregjistrimit më 31 janar, nuk u regjistrua më.
Punëdhënësit “nuk janë të informuar”
Nebojsha Tomasheviq, për të cilin Millosh Kovaçeviq pretendon se e ka fyer dhe kërcënuar, mohon gjithçka.
“Atij nuk i ka thënë askush asgjë. Nuk është e vërtetë. Nuk mund t’ia ndalosh askujt të flasë. Secili është i lirë të thotë çfarë të dojë”, thotë Tomasheviq dhe shton se ai nuk e di nëse Kovaçeviq është shkarkuar.
E, kryetari i autoritetit të përkohshëm komunal të Skenderajt, Vasilije Tomasheviq, thotë se Kovaçeviq nuk është shkarkuar, edhe pse “as bashkëvendësit e tij nuk e mbështesin në atë që bën”, duke aluduar kështu në aktivitetin e tij politik në Iniciativën Qytetare për Drejtësi Popullore.
“Djaloshi duhet të bëhet serioz. Unë nuk e di se për çfarë po flisni, nuk jam i informuar”, thotë ai.
I pyetur se përse ai është i çregjistruar nga sigurimet pensionale dhe shëndetësore, Tomasheviq thotë: “Nuk e di, nuk jam në dijeni. Autoriteti i përkohshëm nuk punon, është i mbyllur”.
“Ne nuk kemi zyrë këtu, gjithçka është zhvendosur në Rashkë [qytet në Serbi]”, shton ai.
Gjatë vitit të kaluar, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur dhjetëra institucione që funksiononin në Kosovë brenda sistemit të Serbisë, përfshirë edhe autoritetin e përkohshëm komunal të Skenderajt.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se asnjë i punësuar nuk do të mbetet pa të ardhura nga buxheti i Serbisë, edhe pse disa prej tyre nuk do të kenë ku të punojnë.
Lista Serbe është opsioni i vetëm politik që gëzon mbështetjen e Beogradit për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e saj drejtojnë pothuajse të gjitha institucionet që veprojnë në sistemin serb.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë të Veriut, e cila funksionon në kuadër të sistemit serb.
Kovaçeviq: Asgjë nuk mund të më thyejë
Kovaçeviq vlerëson se Lista Serbe nuk ka bërë asgjë për fshatrat e banuara me serbë në Komunën e Skenderajt – Bajë dhe Suhogërllë – ku jetojnë rreth 200 pjesëtarë të këtij komuniteti.
Ai thotë se nuk është i kënaqur me punën e saj, ndaj edhe një herë është angazhuar politikisht kundër partisë më të madhe serbe në Kosovë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai ishte në listën e kandidatëve për këshilltarë në Komunën e Skenderajt, në emër të Iniciativës Qytetare SDP – Oliver Ivanoviq.
Atëkohë, ky subjekt politik, në disa raste, ka njoftuar se kandidatët e tij kanë presion të madh nga Lista Serbe, ndërsa lideri i kësaj iniciative qytetare, Oliver Ivanoviq, është vrarë disa muaj pas atyre zgjedhjeve.
Kovaçeviq pohon se serbët në Kosovë, në shumicën e rasteve, kanë frikë për ekzistencën e tyre dhe se kjo është një nga arsyet përse ata nuk flasin publikisht për, siç thotë, presionet e Listës Serbe.
Në Kosovë, një numër i madh i serbëve marrin të ardhura nga buxheti i Serbisë, si: paga, pensione, ndihma sociale, shtesa për fëmijë apo forma të tjera të kompensimit financiar.
Ai thotë se edhe vetë do ta ketë të vështirë pa të ardhurat që i ka pasur nga buxheti i Serbisë deri më tani, por se kjo “nuk do ta largojë nga synimet dhe planet që ka për të përmirësuar diçka”.
“Asgjë nuk mund të më thyejë”, thotë Kovaçeviq.
A ka pasur raste të ngjashme më herët?
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, Evropa Radio e Lirë ka raportuar se Bojan Markoviq nga Ranillugu ka humbur punën, për shkak se ka refuzuar ftesën e Listës Serbe për të votuar për Adrijana Hoxhiqin, boshnjake nga Mitrovica.
Në atë kohë është thënë se Hoxhiq ka fituar mandatin parlamentar falë votave të komunitetit serb, i cili është ndikuar nga Lista Serbe, me qëllim që kjo e fundit t’i fuste nën kontroll disa komunitete tjera joshumicë në Kosovë.
Kushtetuta e Kosovës i garanton 10 nga 120 vendet parlamentare për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet tjera pakicë.
Këto mandate parlamentare janë vendimtare për miratimin e ligjeve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, të cilat kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të votave të deputetëve të komuniteteve pakicë.
Pas publikimit të rrëfimit të Bojan Markoviqit, ai ka bërë përpjekje t’i ndryshojë dhe mohojë deklaratat e tij, të cilat Radio Evropa e Lirë i ka pasur të regjistruara dhe i ka publikuar.
Ndërkohë, Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar 4.205 vota që i ka marrë iniciativa qytetare e Hoxhiqit në komunat me shumicë serbe atëkohë dhe, kështu, ajo e ka humbur mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave të pjesëtarëve të komunitetit serb në të gjitha proceset zgjedhore, në të cilat ka marrë pjesë.
Megjithatë, Misioni Monitorues i BE-së në Kosovë ka konstatuar në raportin e tij të vitit 2021 se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”. Sipas raportit, janë regjistruar edhe raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përveç Listës Serbe, do të garojnë edhe pesë subjekte të tjera nga komuniteti serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Iniciativa Qytetare për Drejtësi Popullore.