Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit.
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.
Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Siljanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.
Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues./REL