Ushtria izraelite njoftoi në fundjavë se do të zbatojë pauza të përditshme prej 10 orësh në operacionet ushtarake, për të “përmirësuar reagimin humanitar” në Gaza, e ndërsa ndihmat filluan të hyjnë në territor, pamje kaotike janë shfaqur gjatë përpjekjeve për t’i marrë ato.
Sipas njoftimit të ushtrisë izraelite, aktiviteti ushtarak do të ndalet nga ora 10:00 deri në 20:00 me orën lokale në tri zona të populluara: El-Mawasi, Deir al-Balah në qendër dhe në pjesën veriore të Qytetit të Gazës. Ndërsa këto ndërprerje do t’i lejojnë OKB-së dhe organizatave të tjera të shpërndajnë ushqim dhe ilaçe “deri në një njoftim të dytë”.
Megjithatë, ushtria izraelite theksoi se do të vazhdojë operacionet ofensive ndaj grupeve militante në Gaza, duke mbështetur edhe përpjekjet humanitare, “me qëllim mbrojtjen e civilëve izraelitë”.
Ndërkohë, shefi i ndihmave humanitare në OKB, Tom Fletcher, tha se situata në Gaza është në një pikë kritike: “Një në tre persona nuk ka ngrënë për ditë të tëra – përfshirë edhe punonjësit humanitarë.” Ai e përshkroi dërgimin e djeshëm të ndihmave si “një pikë në oqean”.
Sipas Fletcher, “ditët në vijim do të jenë vendimtare” për fatin e krizës. Ai gjithashtu theksoi se ka folur me të mbijetuarit e sulmeve të 7 tetorit në Izrael, të cilët i kanë thënë se duan që ndihmat të arrijnë te populli në Gaza.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet izraelite se ndihma ndodhet në Gaza por nuk po shpërndahet nga agjencitë e OKB-së, Fletcher u përgjigj se fokusi i OKB-së është që ndihma të lëvizë, por shoferët përballen me pengesa “burokratike” dhe probleme të sigurisë.
I pyetur se sa do të zgjasin pauzat humanitare, Fletcher tha se nga ekipi në terren është njoftuar se do të zgjasin “rreth një javë”, çka sipas tij është “qartësisht e pamjaftueshme” përballë asaj që ai e përshkroi si “një mizori e shekullit 21”.