Kaos në portin e Durrësit: Bllokohen anijet

Kaos në portin e Durrësit: Bllokohen anijet

Prej 2 javësh situata në terminalin e përpunimit të kontejnerëve në Portin e Durrësit është e ngjashme me atë të krijuar në Kanalin e Suezit, anije që qëndrojnë 2 deri 3 ditë pritje në pamundësi për të shkarkuar mallrat

Përfaqësuesit e linjave detare, të parët që ngritën shqetësimin e vonesave për shkarkim e anijeve, pohuan për Monitor se situata po shkaktohet nga mungesa e kushteve teknike për shkarkimin e kontejnerëve nga anijet dhe evadimin e tyre për në terminal.

Operatorët nënvizuan se minimalisht për të funksionuar shërbimi nevojiten 3 vinça portual për përpunimin e kontejnerëve dhe 6 ristaker (mekanizëm për ngarkim/shkarkimin e kontejnerëve në terminal). Në dijeni të tyre me kapacitet të plotë punon vetëm njëri prej vinçave, ndërsa vinçi i dytë funksionon pjesërisht (ka ditë që nuk funksion).

Linjat detare ngrenë shqetësimin se vonesa për shkarkimin e anijeve, po rrit kostot e tyre financiare, pasi në disa raste anijet me mallra janë detyruar të kthehen mbrapsht për t’u rikthyer pas disa ditësh. Nga kjo situatë është prekur i gjithë zinxhiri i transportit të mallrave me kontejnerë.

Përfaqësuesit e linjave detare thanë se anijet qëndrojnë në pritje të shkarkimit të kontejnerëve 2 deri 3 ditë, ndërsa kompanitë e transportit të kamionëve që operojnë me marrjen e mallrave nga terminali i kontejnerëve qëndrojnë të bllokuara deri në 8 orë.

“Për shkak të vonesave jemi detyruar të shtyjmë edhe 5 ditë të tjera shkarkimin e anijes, duke e kthyer mbrapsht, çka ka shtuar kostot financiare jo vetëm për operatorin, por edhe për klientët tanë”, pohoi një nga drejtuesit e linjës detare në Durrës.

Autoriteti Portual Durrës (APD) pohoi për Monitor se vonesat e shkaktuara vijnë nga rritja e volumeve tregtare në nisje të sezonit të verës, të mallrave të importit dhe eksportit.

Related Articles