Një incident ka ndodhur në fshatin Qubrel të Skenderajt, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht tri rojet e pyllit.
Viktimat kanë kërkuar ndihmë mjekësore, teksa të dyshuarit u arratisën nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur që t’i identifikojë tre personat e dyshuar të cilët janë shoqëruar në stacion policor gjatë ditës së djeshme.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se pas procedurave të intervistimit, tre të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë pasi të njëjtit dyshohen për përfshirje në veprën penale sulm ndaj tre zyrtarëve të pylltarisë e ndodhur me datën 03 shtator 2023 në fshatin Qubrel të Skenderajt. Pas procedurave të intervistimit, tre të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha Zahiti.