Kapet 40-vjeçari me katër identitete në Laç, ishte në kërkim për drogë nga autoritetet spanjolle

Kapet 40-vjeçari me katër identitete në Laç, ishte në kërkim për drogë nga autoritetet spanjolle

Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 58”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në koordinim me partnerët spanjollë përmes INTERPOL-it, kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin Gj. Gj., alias Gj. M., alias Gj. R., alias Gj. R., 40 vjeç, lindur në Lezhë, raporton Gazeta Sinjali.

Ky shtetas akuzohet në Spanjë për disa vepra penale, përfshirë “Krime kundër shëndetit publik/Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”. Gjykata e Instruksionit nr. 1 Castellon de la Plana/Spanjë ka caktuar për të masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Shtetasi i arrestuar ka qenë pjesë e një grupi kriminal me ndarje të qartë të funksioneve të anëtarëve, duke përfshirë gjetjen dhe marrjen me qira të ambienteve, përshtatjen e tyre për kultivim droge dhe montimin e pajisjeve të nevojshme.

Gjatë operacionit në Spanjë janë sekuestruar dy ambiente të përshtatura për kultivim, një në Oropesa dhe një në Cabanes.

“Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi.”, thuhet tutje në njoftim.

Related Articles