Zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, i cili po qëndron në Kosovë ka takuar liderët opozitarë të Kosovës të premten.
Teksa kanë njoftuar për takimin, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon me Kasanof. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova duhet të bashkërendohet me aleatët.
“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, ka shkruar ai.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vetmja rrugë përpara është partneriteti me SHBA-në.
“Mbështetja e fuqishme e ShBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, ka shkruar Haradinaj. / Gazeta Enigma.