Kastrati: Ndaj Irlandës së Veriut duhet ta tregojmë veten

Kastrati: Ndaj Irlandës së Veriut duhet ta tregojmë veten

Mbrojtësi Lirim Kastrati ka thënë se disfata nga Greqia nuk duhet ta ndalë Kosovën drejt paraqitjeve të mira.

Ai tha se bashkë me lojtarët tjerë të skuadrës kanë pasur paraqitje të mira në ndeshjet e kaluara, por nuk janë arritur rezultatet që ata kanë dashur.

Kastrati i kompletoi dy ndeshjet e para të Kosovës në Ligën e Kombeve, ndaj Qipros në udhëtim dhe ndaj Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Mendoj që nuk kemi kohë të mendojmë për lojën e kaluar. Tash jemi të fokusuar të gjithë për lojën me Irlandën e Veriut. Jemi përgatitur mirë. Sot e kemi edhe një stërvitje para lojës dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv”, ka thënë fillimisht Kastrati në konferencën për shtyp të mërkurën.

“Atmosfera është gjithmonë e mirë. Edhe humbja është pjesë e lojës kështu që ne jemi të përgatitur. Normalisht, po të kishim arritur fitore, do të ishte edhe më mirë në aspektin moral. Tash duhet ta tregojmë veten dhe me angazhim, punë e ushtrime, besoj që do ta kemi një rezultat pozitiv nesër”, është shprehur mbrojtësi i Ujpestit në Hungari, Kastrati 23-vjeçar.

Kastrati, që hapat e parë si futbollist i ka marrë te skuadra e Romës në Itali, në edicionin që lamë pas ka zhvilluar 35 ndeshje në elitën e futbollit hungarez. Ka shënuar një gol dhe e mbylli kampionatin me dy asistime.

Related Articles