Ministria e Mbrojtjes në Katar tha se është penguar sulmi, derisa autoritetet iraniane thanë se kanë shkaktuar dëme.
Nga Katari thanë se sulmi iranian “është shkelje flagrante dhe se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur”, ka raportuar CNN.
Majed al-Ansari, zëdhënës zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka shkruar në X se “Ne e konsiderojmë këtë një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Ai ka thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit “e penguan me sukses sulmin dhe interceptuan raketat iraniane” dhe baza ishte evakuuar më parë.
“U morën të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar sigurinë e personelit në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat mike dhe të tjerë”, ka shtuar zyrtari i Katarit, derisa shtoi se s’ka pasur viktima apo të lënduar.
Zëdhënësi tha se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur “në një mënyrë ekuivalente me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni të paturpshëm”.
Aktualisht Katari ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore dhe qytetarët amerikanë e britanikë janë këshilluar të qëndrojnë të mbyllur.