Një person ka humbur jetën dhe pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi sot në mëngjes mes një autobusi dhe një veture në Dollc të Klinës.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës njofton se katër të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë lëshuar në gjendje stabile.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se nga pesë pacientët e pranuar pas aksidentit trafiku në fshatin Dollc të Klinës, katër kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë lëshuar në gjendje stabile shëndetësore. Një pacient tjetër vazhdon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë, ku është nën kujdesin e ekipeve tona mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nё drejtimin Prishtinё–Pejё, ku me tё arritur në fshatin Dollc, duke mos iu pёrshtatur shpejtёsisё dhe kushteve tё rrugёs, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon nё shiritin pёr lëvizje nga ana e kundёrt dhe godet autobusin nё pjesёn ballore.
“Si pasojё e aksidentit, drejtuesi i automjetit pёr shkak tё lёndimeve trupore ka ndёrruar jetё, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekёsor, ndёrsa lëndime trupore kanё pёsuar pesё (5) persona, tё cilёt janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё, pёr tretman mjekёsor. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, ka njoftuar policia.