KDI i publikon ngecjet Kuvendit

KDI i publikon ngecjet Kuvendit

Këtë të hënë u publikua raporti analitik për performancën e Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media, ku Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI, dekllaroi se katër vjetët e kësaj Legjislature janë shoqëruar me një seri mundësish të humbura, si dhe një mungesë të përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve.

“Pavarësisht miratimit të 282 ligjeve, legjislatura ka hasur në shumë sfida që kanë penguar efikasitetin e saj”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

“Mbi të gjitha, zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ato në pjesën veriore, kanë ndikuar në masë të madhe dinamikat brenda Kuvendit. Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe në nëntor 2022, pas muajsh bojkotimesh, e la komunitetin serb në Kosovë pa përfaqësim në Kuvend dhe pamundësoi miratimin e ligjeve që kërkonin shumicën e dyfishtë. Për të njëjtën arsye nuk arritën të miratohen as tri propozim-amendamentet kushtetuese për zhvillimin e procesit të vetingut në drejtësi. Lidhur me këtë, partia në pushtet nuk prezantoi ndonjë alternativë tjetër, duke e lënë këtë çështje pa ndonjë epilog”.

“Një nga arritjet e kësaj Legjislature ishte miratimi i Rregullorës së re të Punës, dokument ky i cili nuk ishte ndryshuar nga asnjë legjislaturë paraprake për më shumë se 10 vite. Në anën tjetër, Kuvendi dështoi të miratonte Kodin e Sjelljes së deputetëve, një obligim ky që buron nga Rregullorja dhe synon avancimin e rregullave të sjelljes në Kuvend. Ngjashëm, Kuvendi dështoi të miratonte Projekt Kodin Civil, veprim ky i cili është në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të drejtave civile dhe i pamundësoi vendit kodifikimin e procedurës civile”.

Megjithatë, sigurimi i kuorumit të nevojshëm për mbajtje të seancave dhe votim ishte sfida kryesore përgjatë gjithë kohës sa zgjati Legjislatura e tetë. Si rezultat, në disa prej seancave u votuan dhjetëra ligje përnjëherë, e në raste edhe me procedura të përshpejtuara. E tillë ishte seanca e 5 dhjetorit në fund të kësaj Legjislature, e cila u karakterizua me veprime të partisë në pushtet, të cilat ishin në kundërshtim me parimet demokratike dhe të qeverisjes së mirë”.

“Në një anë ka pasur mbi 5 mijë mungesa të deputetëve dhe në anën tjetër edhe kur disa prej deputetëve kanë qenë prezent në seancat e Kuvendit, pjesëmarrja e tyre ka figuruar vetëm në letër, por jo edhe në punimet e Kuvendit. Kështu, në listën e evidencës zyrtare të Kuvendit ku nënshkruhen deputetët, për çdo seancë kanë figuruar më shumë se 90 deputetë”.

“Mungesa e kuorumit ndikoi edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, e cila gjatë kësaj periudhe mbajti gjithsej 93 mbledhje, nga 124 mbledhje sa ishin të planifikuara. 25% e tyre dështuan në mungesë të kuorumit. Vetëm në fund të vitit 2021, 4 mbledhje të njëpasnjëshme të Kryesisë dështuan. Ngjashëm edhe 3 mbledhje gjatë gjysmës së parë të vitit 2023”.

Në këtë link gjeni raportin e plotë të KDI-së.

Related Articles