KDI kërkon të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare

KDI kërkon të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare

Instituti Demomkratik i Kosovës, po kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk kanë arritur të miratohen në seancat e kaluara, në mungesë të kuorumit.

Në një komunikatë për media, KDI deklaron se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë në mes grupeve parlamentare për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare.

 “Sot kur pritet vazhdimi i seancës plenare, të filluar të premten e kaluar, KDI kërkon nga të gjithë deputetët që të votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk arritën të miratohen në seancat e kaluara në mungesë të kuorumit, anipse në sallë të pranishëm ishin 93 deputetë. Meqë ratifikimi i marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave të deputetëve, kjo nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë në mes të grupeve parlamentare për t’i miratuar ato”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

KDI deklaron se meqenëse shumica parlamentare nuk i ka votat për t’i kaluar këto marrëveshje, i takon të bëjë përpjekje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën për të arritur pajtueshmëri për miratimin e tyre.

“Duke pasur parasysh që shumica parlamentare nuk i ka votat që t’i kalojë këto marrëveshje, i takon shumicës parlamentare që të bëjë përpjekje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për miratimin e tyre”, thotë KDI.

“KDI konsideron se një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga shumica, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për çështje që shkojnë përtej interesave partiake dhe kontriboujnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Related Articles