“Qytetarët në Shqipëri dhe më gjerë kanë shqetësime legjitime për rritjen e çmimeve”, tha Komisioni Evropian.
Reagimi e KE-së vjen pas deklaratës së Kryeministri Edi Rama se një zyrtar i Brukselit kishte thënë se protestat i shërbenin Rusisë dhe kishte pyetur se kush i organizonte ato, raporton Euractiv.
Këtë deklaratë Rama e bëri pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.
Shqiptarët kanë mbi një javë që protestojnë për rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë dhe ushqimeve, duke kërkuar lehtësime të ndryshme fiskale. Qeveria ka marrë disa masa, por ka thënë vazhdimisht se protestat janë të turpshme dhe po i shërbejnë Kremlinin.
“Qytetarët në Shqipëri, si dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, kanë shqetësime legjitime për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve”, tha Komisioni.
“BE kujton se respektimi i standardeve evropiane për lirinë e grumbullimit paqësor dhe për mbrojtjen dhe përfshirjen e grupeve të cenueshme, janë kërkesat kyçe të anëtarësimit që monitorohen nga afër. Të gjithë aktorët e përfshirë duhet të ushtrojnë qetësinë dhe përmbajtjen maksimale”, shtoi Komisioni Evropian.
Komenti i fundit vjen pasi qindra persona u kapën nga policia dhe oficerë të veshur civil. Disa gazetarë u sulmuan dhe njëri kërkoi trajtim spitalor pasi u shty dhe u godit me këmbë nga oficerët.
Deklarata e Komisionit shtoi se rritja e çmimeve është “rënduar kryesisht nga lufta e agresionit të nisur nga Rusia kundër Ukrainës”, dhe jo nga sanksionet e BE-së dhe përafrimi i Shqipërisë me to.
Komisioni vuri në dukje gjithashtu ngritjen e një komiteti të posaçëm për të trajtuar ndikimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës në ekonominë shqiptare dhe bordit kombëtar për administrimin e karburanteve, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të situatës nga Autoriteti i Konkurrencës së Shqipërisë.
“BE do të vazhdojë të mbështesë partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në veçanti duke iu përgjigjur ndikimit social dhe ekonomik të luftës, goditjeve të mundshme në të ardhmen dhe për të lejuar rimëkëmbjen ekonomike”, përfundoi deklarata.
Protestuesit i kanë bërë një sërë kërkesash Edi Ramës dhe kanë thënë se nëse nuk plotësohen do të mblidhen të shtunën (19 mars) për të vazhduar protestën.