Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë ka njoftuar se te një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve është ndalur rryma, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.
Kjo për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe të breshërit që goditën pjesë të ndryshme të vendit, transmeton Klankosova.tv.
KEDS, bën të ditur se ekipet e tyre janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerë, për ta rikthyer energjinë elektrike, sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Reshje të mëdha shiu e bresheri dhe erëra të fuqishme kanë përfshirë pasditen e të hënës Kosovën, veçanërisht rajonin e Anamoravës, por edhe pjesë tjera të vendit. Gjilani dhe rrethina janë më të prekurat, ku për shkak të motit të keq janë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për një numër të konisderueshëm të konsumatorëve. Ekipet e KEDS janë të mobilizuara maksimalisht dhe ndodhen në terren duke punuar pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
“Rajonet e Pejës, Ferizajt dhe Prizrenit janë më pak të prekura. Ekipet tona janë në terren duke intervenuar edhe atje”.
KEDS-i ka falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin në këto kushte atmosferike të vështira.