KEDS: Rritja prej 18.5% e konsumit të energjisë gjatë tetorit po shkakton mbingarkesa në rrjet

KEDS: Rritja prej 18.5% e konsumit të energjisë gjatë tetorit po shkakton mbingarkesa në rrjet

Konsumi i energjisë elektrike në vend ka shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Vetëm nga 1 deri më 27 tetor 2025, në Kosovë janë konsumuar rreth 429 milionë kWh energji elektrike, krahasuar me 362 milionë kWh të regjistruara gjatë të njëjtës periudhë një vit më parë. Kjo nënkupton një rritje prej rreth 18.5 për qind të kërkesës për energji.

Ky trend gjithnjë e më i theksuar i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje, sidomos pas ftohjes së temperaturave, po çon drejt mbingarkesave në rrjetin shpërndarës. KEDS thekson se përdorimi intensiv i pajisjeve elektrike të ngrohjes, inverterëve dhe kaldajave elektrike po e shton rrezikun e ndërprerjeve të paevitueshme.

Kompania është duke ndërmarrë masa shtesë për të menaxhuar me sukses situatën, duke rritur monitorimin dhe intervenimin e ekipeve në zonat me ngarkesë të lartë. Përkundër investimeve të vazhdueshme në përforcimin e rrjetit, rritja e menjëhershme e konsumit brenda një periudhe kaq të shkurtër krijon sfida për funksionimin stabil të sistemit elektrodistributiv.

KEDS apelon që konsumatorët të përdorin energjinë elektrike në mënyrë të kujdesshme dhe të evitojnë ngarkesat e panevojshme të pajisjeve elektrike, sidomos gjatë orëve të pikut. Çdo konsum racional kontribuon në sigurinë e furnizimit dhe uljen e mundësisë së mbingarkesave në rrjet.

Kompania mbetet e përkushtuar në sigurimin e furnizimit sa më stabil me energji elektrike dhe në informimin transparent të qytetarëve për situatën në rrjet në kohë reale.

Related Articles