Keqtrajtimi i qenit në strehimoren e Komunës së Prishtinës, ushtrohet kallëzim penal

Keqtrajtimi i qenit në strehimoren e Komunës së Prishtinës, ushtrohet kallëzim penal

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë kallëzim penal kundër personit përgjegjës për keqtrajtimin mizor të qenit endacak në ambientet e strehimores komunale të Prishtinës. Kallëzimi penal është paraqitur për veprën penale të keqtrajtimit të kafshëve, ashtu siç përcaktohet në Kodin Penal të Kosovës.

Kjo organizatë i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të veprojnë me shpejtësi dhe të nxjerrin para drejtësisë autorin derisa ka kërkuar dënimin maksimal ligjor.

Udhëheqësja e Fondacionit, Elza Ramadani, për Radio Kosovën ka thënë se si organizatë kanë paraqitur kallëzime penale të shumta, përfshirë edhe këtë të fundit, por që sipas saj nuk ka pasur ndonjë reagim deri tani.

“I kemi më shumë se 400 raste të kallëzimeve penale. Edhe për këtë rastin e fundit në strehimoren publike kemi ngritur kallëzim penal. Fatkeqësisht askush nuk është dënua përveç një rasti vitin e kaluar, kur një pronar ka rrahur qenin e tij dhe pastaj qeni ka ngordhur. Ky është i vetmi rast që pronari është mbajtur 48 orë”, ka thënë Ramadani.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Brestovci e ka vlerësuar akt të papranueshëm rastin e ndodhur në strehimoren e komunës. Brestovci, sqaroi se keqtrajtimi është kryer nga një punonjës i një kompanie private e cila bën sigurimin e objektit, e jo nga stafi i komunës. Ai bëri të ditur se ndaj këtij personi është ngritur edhe kallëzim penal.

“Ajo çfarë është bërë me automatizëm ai është suspenduar nga puna. Ne përmes menaxherit tonë të kontratës po iniciojmë edhe një kallëzim penal ndaj tij. Është diçka e papranueshme”, ka thënë Brestovci.

Strehimorja publike e qenve në Hajvali, strehon rreth 1 mijë e 300 qenë të larguar nga rruga.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë të ditur se dje kanë vizituar këtë strehimore dhe sipas veterinerit përgjegjës, qeni aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është dhënë për adoptim.

Kjo organizatë ka kërkuar zyrtarisht të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me miratimin e këtij adoptimiteksa ka kërkuar nga komuna që ta kthejë qenin dhe ta japë nën kujdesin e organizatës, për tu siguruar që ai të marrë rehabilitimin e duhur dhe të adoptohet në një shtëpi të sigurt dhe të dashur.

E me ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal të Kosovës ka avancuar ruajtja dhe mbrojtja e të drejtave të kafshëve, ku secili keqtrajtim i kafshëve do të dënohet me gjobë apo burgim deri në gjashtë muaj.

Related Articles