Janë bërë rreth një javë nga kërcënimi ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Megjithatë, ende Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj saj.
Kështu ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani”, ka thënë ai.
Kupina ka shtuar se pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme, shumë prej tyre dhe pa e fshehur identitetin, nuk është arrestuar asnjë person.
“Deri tash ka pas dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin”, ka potencuar ai.
Këshilltari i presidentes ka thënë se është shqetësuese të mos ketë asnjë reagim nga organet kompetente.
“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”, ka deklaruar Bekim Kupina