Kërcënimi i gazetarit në Veri – Një person e ndoqi nga pas dhe i bërtiti serbisht, policia nis hetimet

Kërcënimi i gazetarit në Veri – Një person e ndoqi nga pas dhe i bërtiti serbisht, policia nis hetimet

Situata në veri është tensionuar që pas arrestimit të një ish-zyrtari policor serb.

Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto zhvillime që po përcillen nga gazetarët kosovarë atje nuk kanë kaluar pa incidente.

Rasti i fundit ka ndodhur dje në mesditë, kur një gazetar dhe një kameraman kanë raportuar në Polici se janë kërcënuar nga një person, teksa po kryenin punën e tyre në fshatin Rudarë, ku janë vendosur barrikadat.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bazuar në deklaratat e viktimave, një person i moshës rreth 50-vjeçare, i cili dyshohet se ka qenë serb, e ka ndjekur gazetarin nga pas, duke i folur në gjuhën serbe. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka fotografuar edhe veturën me të cilën ekipi kishte shkuar deri në vendin e ngjarjes.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “kanosje”.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar të shtunën duke shprehur shqetësim për rrezikun që po u kanoset gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që po raportojnë nga veriu.

Që nga e marta janë raportuar sulme të vazhdueshme në veri të vendit. Fillimisht, për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që u shtyn nga presidentja Vjosa Osmani, e më pas shkaku i arrestimit të ish-policit që dyshohet se organizoi sulmet e ditëve më parë.

Related Articles