Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill të hënën [ 15prill] ka vizituar Fakultetin Filozofik në qytetin e Novi Sadit. Por kjo vizitë e ambasadorit amerikan, Hill dhe profesorit të Universitetit të Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq nuk u mirëprit edhe aq mirë.
“Plumb për të dy”, është njëri nga kërcënimet që po qarkullon në rrjetet sociale, e që iu kanë drejtuar ambasadorit Hill dhe Gruhonjiq pas vizitës së tyre në Universitetin Filozofik të Novi Sadit, raportojnë mediat në Serbi.
Ndryshe, gjatë ditës së djesshme [ e hënë] Fakulteti Filozofik në Novi Sad ka njoftuar se ambasadori amerikan Christopher Hill ka vizituar Fakultetin dhe Departamentin e Studimeve të Medias, ku foli me dekanin Ivan Zhivançeviq Sekeruš dhe prodekanin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Zoran Paunoviq. Pas takimit me ta, Hill vizitoi studion televizive multimediale, e cila u ndërtua me ndihmën e Ambasadës Amerikane, raporton N1.
Ambasadori Hill gjatë qëndrimit të tij në Fakultetin Filozofik ka folur me mësues dhe studentë për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet e gazetarëve, profesorëve dhe studentëve në Novi Sad.