Kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi, Gjykata në Prishtinë merr vendimin për Dobrunën

Kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi, Gjykata në Prishtinë merr vendimin për Dobrunën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Driton Dobruna për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi.

Kjo gjykatë e dënoi me 150 ditë burgim të akuzuarin.

Aktgjykimi u shpall sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Gazeta Enigma.

Gjykatësi Dibran Jusufi bëri të ditur se të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit, ndërsa dënimi ndaj tij do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Prezent në seancën e sotme nuk ishte i akuzuari Dobruna dhe as prokurori i rastit Paulin Pashku, ndërsa mori pjesë i dëmtuari Kajtazi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, më 1 nëntor 2024, i akuzuari Dobruna e kishte pranuar fajësinë se përmes mediave sociale e ka kanosur pronarin e portalit “Paparaci”.

Sipas aktakuzës, Dobruna gjatë kërcënimit ndër të tjera i kishte shkruar Kajtazit se: “Do të lyej me benzinë, ne të dy do të takohemi, e unë e ti së bashku në ferr”.

Dobruna ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.

Ndërkohë, AGK-ja kishte kërkuar reagim të organeve të drejtësisë për Dobrunën dhe gjithë ata që kërcënojnë gazetarët. /Gazeta Enigma

Related Articles