Gjovalin Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë Astrit Kalaja, është vënë në pranga nga policia pas deklaratave të tij kërcënuese. Gjatë një deklarate publike, ai u shpreh se edhe gjyqtari që do të dënojë nipin e tij mund të ketë të njëjtin fat si Astrit Kalaja, deklaratë që ka ngritur shqetësim për sigurinë e përfaqësuesve të drejtësisë.
“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht. Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami. Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh.
Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më. Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne. Nuk kam qenë në dijeni të veprimit që do bënte nipi im, se të isha në dijeni do e kisha ndaluar. Kemi nisur një luftë të paparë, në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes. Hiç. Kush dënon atë djalë gjykohet me plumba në sallë të gjyqit, se më ka prerë në besë shteti, se ja kam blerë shtetit. S’ka gjyqtar që e dënon”, tha Gjovalin Shkëmbi para mediave para se të arrestohej.