Personat të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në lokale hoteliere e të gastronomisë, shpesh herë gjatë detyrës së tyre përballen me klientë të cilët kanë sjellje arrogante e me rast edhe agresive ndaj tyre. Këta të fundit shpesh eskalojnë edhe në fyerje e sulme fizike ndaj punonjësve.
Kështu ka ndodhur mëngjesin e 1 majit në hotel ‘Nora’ në fshatin Zajm të Klinës, ku një person dyshohet se ka shkaktuar telashe dhe ka sulmuar stafin e hotelit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 34-vjeçari fillimisht ka shkaktuar dëme në një veturë, duke ia thyer xhamin e më pas dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 48-vjeçar.
Viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital si pasojë e lëndimeve të marra nga sulmi, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia.
I dyshuari fillimisht ishte arratisur, por gjatë ditës së djeshme ai është paraqitur në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe ‘Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.