Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, por që të cilët kanë ikur nga duart e drejtësisë.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, në pranga të Policisë kanë rënë disa persona të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Njëri prej tyre, siç mëson Sinjali është Xhilbert Mecaj, 31-vjeçar, i cili është kapur sot në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, me ç’rast pas ndalimit dhe verifikimit, rezultoi se ndaj tij ka urdhërarrest aktiv.
I njëjti ishte në listën e personave të kërkuar, nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “Mashtrim”, rast ky që kishte ndodhur në vitin 2021.
Pas përfundimit të procedurave policore, i riu është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.