Çmimet e shtrenjta farmaceutike në kohë pandemie, veçanërisht medikamenti Remdesivit dhe testet COVID-19 në laboratorët privat janë ngritur sot si shqetësuese nga Komisioni për Ekonomi gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës– AKK, për vitin 2020.
Deputetët nga VV-ja Jeta Statovci dhe Driton Hyseni kërkuan përgjigje nga kryetari bordit të AKK-së Valon Prestreshi për ankesat e shumta rreth çmimit të shtrenjtë të Remdesivirit.
Hyseni ngriti edhe shtrenjtimin e produkteve ushqimore në kohë pandemie.
Deputeti Hyseni tha se paralajmërimet nga Autoriteti i Konkurrencës për hetime në treg mund të ndikojë në dështimin e zbardhjes së ankesave nga konsumatorët.
“Nëse ju dilni publikisht deklaroni se po nisni hetime ndaj medikamentit Remdesivir keni atakuar hetimin”, tha Hyseni.
Gjatë raportimit para Komisionit, për këtë është përgjigjur Valon Prestreshi i cili tha se për barin Remdesivir ka pasur një bujë mediatike, por siç tha ai kur kanë hetuar në detaje në treg, nuk ka qenë problematike.
“Ka qenë një reagim, në asnjë formë nuk ka çrregullim. Në hulumtimin tonë kemi hasur që nuk ka ndonjë marrëveshje apo ndonjë keqpërdorim në këtë drejtim”, tha ai për KP.
Prestreshi po ashtu duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit Ferat Shala, tha se nuk ka ndonjë çrregullim të theksuar rreth çmimit të çimentos.
Prestreshi po ashtu i është përgjigjur deputetit Pal Lekaj për ankesat e shumta të konsumatorëve për KEDS-in.
Kreu i AKK bëri me dije se është duke u hetuar KEDS-KESCO për pronat publike në rastin e investimeve dhe në vendosjen e trafo-stacioneve.