Në orët e para të 7 korrikut, 27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq në rrethana ende të paqarta.
Lidhur me vdekjen e tij, janë arrestuar dhe ndaluar pesë zyrtarë policorë, ndaj të cilëve peshon vepra penale, ‘vrasje nga pakujdesia’, transmeton Klankosova.tv.
Familja e të ndjerit nesër do të protestojë për të kërkuar drejtësi për të dashurin e tyre.
Vëllai i Agonit, Alban Zejnullahu për Klan Kosova tha se ata kërkojnë protestë paqësore, pa konotacione politike.
“Realisht për detajet përveç datës dhe orës për ditën e nesërme, ne nuk kemi pasur kohë dhe nuk kemi mundur të merremi me detaje të tjera. Ne si familje kemi kërkuar të jetë protestë paqësore pa konotacione politike. Po ashtu shpresojmë që ky të jetë rasti i fundit në vendin tonë”, tha ai.
“Ne po shpresojmë që të zbardhet e vërteta, ajo e vërteta që e ka parë i gjithë vendi. Urojmë dhe lutemi që të mos ketë verdikt tjetër pos të vërtetës”, shtoi tutje Albani.