Kërkohet paraburgim për avokatin i cili ia mori 8 mijë euro klientit me premtimin se do të ndikojë te gjyqtarët

Kërkohet paraburgim për avokatin i cili ia mori 8 mijë euro klientit me premtimin se do të ndikojë te gjyqtarët

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit H.J., për shkak të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se i pandehuri është ndaluar me urdhër të prokurorit pas veprimeve hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës.

“I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 08.06.2023, pas veprimeve hetimore të ndërmarra në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pasi dyshohet se i njëjti në cilësinë e avokatit mbrojtës të një pale ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, prokurori i çështjes në koordinim me Policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ta ndriçuar në plotëni këtë rast.

Related Articles